Kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka takuar sot në SHBA, Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të shtetit, Metthew Palmer i cili njëherësh është edhe përfaqësues special për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Përmes një postimi në facebook, Haradinaj ka thënë se ka shprehur gatishmërinë para Palmerit që të arrihet një marrëveshje ligjore për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues.
Ai ka thënë se rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike.
“Në takim me Palmer, në New York, theksova edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistuess”, ka shkruar Haradinaj
Kreu në largim i Qeverisë ka thënë se Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me SHBA-në. Caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Mattheë Palmer, si i dërguari i posacëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga SHBA-ja”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Gazeta Sinjali/