image “Pala kosovare ishte e papërgatitur për dialog”, Escobar flet për deklaratën e ambasadorit Hill

Politikë

“Pala kosovare ishte e papërgatitur për dialog”, Escobar flet për deklaratën e ambasadorit Hill

news image

“Pala kosovare ishte e papërgatitur për dialog”, ishin fjalët e ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill. Lidhur me këtë deklaratë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se në këtë fazë nuk dëshiron që ta fajësojë asnjërën palë, por është optimist se do të përfundojë mirë dialogu.

Këtë deklaratë, Escobar e dha në një intervistë për N1, pas vizitës që bëri njëherë në Kosovë, pastaj në Serbi.

 “Negociatat janë aktualisht në një fazë shumë të ndjeshme. Pra, nuk dua të fajësoj askënd, sepse, të jem i sinqertë, gjithçka filloi në Bruksel dhe mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë. Përderisa kemi një zgjidhje paqësore, të zbatueshme dhe të realizueshme, e cila nuk e ndërlikon jetën e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, nuk mendoj se do të kemi problem. Edhe unë jam optimist, besoj se do t’ia dalim”, tha Escobar.

Ndryshe, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së bashku me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë zhvilluar takime për dy ditë me radhë në Kosovë.

Ata u takuan me krerët e shtetit dhe me opozitën kosovare për zhvillimet në dialog dhe situatën në veri të vendit.

Pas takimeve që patën në Kosovë, Lajcak e Escobar udhëtuan për në Serbi, duke zhvilluar edhe atje takime për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

/GazetaSinjali/