image Pakistan: Autobusi bie në një humnerë, 40 të vdekur

Botë

Pakistan: Autobusi bie në një humnerë, 40 të vdekur

news image

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pasi një autobus pasagjerësh doli nga rruga dhe ra në një humnerë shkëmbore në jugperëndim të Pakistanit, në një nga aksidentet më të rënda rrugore të viteve të fundit.

Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi herët të premten në zonën e largët Dana Sar, pranë kufirit mes provincave Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa.

Zëdhënësi i qeverisë së Balochistanit, Shahid Rind, tha se autobusi ishte i mbingarkuar, pasi përveç pasagjerëve të tij kishte marrë edhe udhëtarë nga një autobus tjetër që ishte prishur gjatë rrugës.

Një nga të mbijetuarit, i shtruar në spital, u tha mediave lokale se disa pasagjerë kishin kundërshtuar marrjen e udhëtarëve shtesë. Sipas tij, pas një debati, një pasagjer dyshohet se e kishte kapur shoferin nga qafa, çka mund të ketë bërë që ai të humbiste kontrollin e mjetit dhe autobusi të përfundonte në humnerë.

Megjithatë, policia ka bërë të ditur se ky pretendim nuk është verifikuar ende dhe se hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Zyrtarët e emergjencës thanë se autobusi transportonte gjithsej 48 pasagjerë. Tetë të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u dërguan në spitalin e distriktit në Zhob, ndërsa trupat e 40 viktimave u transportuan në morgun e spitalit lokal.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, shprehu pikëllimin për tragjedinë dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, duke uruar gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit. Ai u kërkoi autoriteteve përkatëse të sigurojnë trajtimin më të mirë të mundshëm mjekësor për të lënduarit.

Edhe kryeministri i provincës së Balochistanit, Sarfraz Bugti, shprehu dhimbjen për humbjen e jetëve dhe urdhëroi që të plagosurve t’u ofrohet kujdesi i nevojshëm mjekësor.

Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Pakistan për shkak të infrastrukturës së dobët, zbatimit të pamjaftueshëm të ligjeve të trafikut dhe praktikave të pasigurta të drejtimit, veçanërisht në zonat malore të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/