image Pak ditë para zgjedhjeve, digjen kutitë e votimit në disa shtete të SHBA

Botë

Pak ditë para zgjedhjeve, digjen kutitë e votimit në disa shtete të SHBA

news image

Një seri sulmesh ndaj kutive të votimit në disa shtete po rrit trysninë ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, të cilët shpresojnë të mbikëqyrin një proces zgjedhor të sigurt dhe paqësor, si në votimet e hershme që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, ashtu edhe kur miliona amerikanë t’u drejtohen qendrave të votimit, javën e ardhshme.

Shteti veriperëndimor i Uashingtonit i konfirmoi Zërit të Amerikës të hënën se policia lokale dhe FBI-ja po hetojnë të dhënat lidhur mbi dyshimet se një “pajisje ndezëse” ishte vendosur në një kuti të mbledhjes së votave, në Vankuver, të Uashingtonit, herët të hënën.

Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar, por se disa nga fletët e votimit ishin dëmtuar. Në videot të transmetuara nga mediat lokale dukeshin zjarrfikësit në vendngjarje, ndërsa disa nga fletët e votimit digjeshin në tokë.

Më herët, zyrtarët në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, njoftuan se në një nga kutitë e mbledhjes së votave ishte vendosur një pajisje ndezëse. Falë një mekanizmi kundra zjarrit, u bë e mundur që të shmangej dëmtimi masiv i të fletëve të votimit. Vetëm tre prej tyre u dëmtuan.

“Sulmi ndaj kutive të votimit është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe është krejtësisht e papranueshme”, tha Sekretarja e shtetit të Oregonit, LaVonne Griffin-Valade në një deklaratë.

Sekretari i shtetit të Uashingtonit dënoi gjithashtu rastet.

“Dënoj me forcë çdo akt terrori që synon të prishë zgjedhjet e ligjshme dhe të ndershme në shtetin e Uashingtonit”, tha Steve Hobbs. “Nuk do të tolerojmë kërcënime apo akte dhune që synojnë të minojnë procesin demokratik”.

Sulmet ndaj kutive të votimit në Uashington dhe Oregon pasojnë sulmin e javës së kaluar në një kuti postare me fletë votimi në Feniks të Arizonës, në jugperëndim të vendit. Zyrtarët atje arrestuan një të dyshuar për vënien e zjarrit që çoi në dëmtimin e rreth 20 fletësh votimi.

Sulmet ndaj kutive postare dhe kutive të mbedhjes së votave ndodhin në një kohë që zyrtarët amerikanë të sigurisë po lëshojnë paalajmërime për dhunën e mundshme të lidhur me zgjedhjet nga ekstremistë me bazë në SHBA.

“Ne presim që ekstemistët e dhunshëm do të paraqesin kërcënimin më të madh fizik për zyrtarët e qeverisë, votuesit dhe personelin dhe infrastrukturën e lidhur me zgjedhjet”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një vlerësim të lëshuar në fund të shtatorit./VOA

/GazetaSinjali/