Drejtori i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Preshevë, Shukri Ymeri, thotë se është koha e fundit që Ministria e Arsimit të Serbisë të fillojë të merret me çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Kështu ai e komenton marrëveshjen për tekstet në gjuhën shqipe, të arritur në mes të nëntorit ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe atyre të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Problemi me tekstet në gjuhën amtare për pakicën kombëtare shqiptare në Serbi është tash e disa dekada. Problemi lindi pas përfundimit të konfliktit në Kosovë në vitin 1999, kur shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – tri komuna në jug të Serbisë të banuara me shumicë shqiptare – mbetën pa i pranuar tekstet shkollore nga Instituti i Teksteve të Prishtinës, për shkak të ndërprerjes së komunikimit me institucionet.
Ymeri, i cili për një dekadë është në pozitën e drejtorit, thotë se kolegët e tij ia dalin në mënyra të ndryshme që t’ua bartin njohuritë nxënësve.
“Është shumë e vështirë për mësimdhënësit. Ata kryesisht përkthejnë në gjuhën shqipe nga librat në gjuhën serbe ose bëjnë skripte, të cilat i kopjojnë nxënësit dhe kështu ia dalim ne”, sqaron Ymeri.
Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq, tha për agjencinë Fonet se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Atë ditë, Ruziq pati një takim të përbashkët në Bujanoc me ambasadorin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Braathu, ministren e të Drejtave të Njeriut, Gordana Çomiq dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Ministrja e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social, Gordana Çomiq, tha më 18 nëntor se në një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit u arrit pajtimi që të vendoset bashkëpunimi me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit që të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe.
Instituti për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit është institucion publik, i cili merret me vlerësimin e arsimit dhe edukimit dhe jep rekomandime për ngritjen dhe sigurimin e sistemit të cilësisë së arsimit dhe edukimit.
“Është arritur marrëveshja që kjo (miratimi i teksteve) të bëhet deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve, në mënyrë që ato të jenë gati për nxënësit e gjeneratës së ardhshme”, tha Çomiq.
Çfarë thonë në Këshillin Kombëtar Shqiptar?
Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është arritur marrëveshja.
Siç thotë ai, është arritur marrëveshja për 12 komplete të teksteve dhe për shtatë tekste të veçanta, për lëndë të ndryshme, të botuesit Albas nga Shqipëria.
Sipas tij, në vitin 2019, Këshilli Kombëtar Shqiptar kishte propozuar një mekanizëm për sigurimin e teksteve nga Shqipëria, bazuar në nenin 5 të Ligjit të Serbisë për tekstet shkollore, i cili jep mundësinë e përdorimit të një teksti shkollor në gjuhën dhe shkrimin e një pakice kombëtare të botuar në një shtet të huaj, në qoftë se miratohet nga autoritetet.
Në bazë të kësaj, për këtë vit shkollor janë siguruar tekstet për klasën e parë, të dytë, të tretë, si dhe për klasën e pestë, të gjashtë dhe të shtatë të shkollës fillore, sqaron Mustafi.
“Ky vit ka qenë ndër më të suksesshmit për sa i përket sigurimit të teksteve në dy dekadat e fundit, dhe në vitin e ardhshëm mendoj se do ta mbyllim ciklin e teksteve shkollore për shkollat fillore, pra do të ofrojmë së paku një tekst për çdo lëndë”, thotë Mustafi.
Ai shton se e gjithë puna administrative mund të përfundojë deri në momentin kur katalogu i ardhshëm i teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit të Serbisë të publikohet në fillim të vitit 2022.
“Afërsisht kjo mund të ndodhë në muajin shkurt, kur dalin këto katalogë, të cilët përgatiten gjatë muajit janar”, thotë Mustafi.
Shukri Ymeri, drejtor i shkollës fillore në Preshevë, thotë se gjatë punës së tij në arsim, kanë qenë disa marrëveshje me Ministrinë e Arsimit lidhur me çështjen e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, por rezultatet konkrete kanë munguar.
“Megjithatë, nuk dua të jem skeptik. Unë e përshëndes këtë marrëveshje dhe mendoj që është koha e fundit që kjo të zgjidhet”, thekson Ymeri.