image Pacolli beson se e ka “në dorë” Keninë, por thotë se s’do ta nisë lobimin menjëherë

Politikë

Pacolli beson se e ka “në dorë” Keninë, por thotë se s’do ta nisë lobimin menjëherë

news image

William Ruto është shpallur fitues i zgjedhjeve në Keni, duke nxitur menjëherë kaos në këtë shtet afrikan, për shkak të pakënaqësive me rezultatet. Lidhja e tij me Pacollin, në Kosovë, ka ngjallë shpresa se ky shtet afrikan që s’e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, mund ta bëjë këtë. Gazeta Express e ka pyetur kryetarin e AKR-së nëse ai do ta shfrytëzojë miqësinë me presidentin e ri për të lobuar që Kenia ta njohë Kosovën.

Kreu i AKR-së që është njëri nga biznesmenët më të mëdhenj në vend tha se beson që s’do të ketë problem për njohjen e Kosovës nga shteti afrikan pasi miku i tij është shpallur fitues i zgjedhjeve në Keni.

Por, Pacolli pak me ironi thekson se gjithçka varet se çka janë dakorduar Kurti dhe Vuçiq, për implementimin e moratoriumit, që shtynte kërkesat e Kosovës për njohje dhe lobimin kundër njohjeve nga Serbia, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Varet nga ajo se çka janë marrë vesh zotni Kurti me Vuçiqin, rreth implementimit apo kohëzgjatjes së marrëveshjes së famshme në Shtëpinë e Bardhë, përndryshe unë besoj se tani nuk mund të ketë problem për njohjen e Kosovës nga ky shtet. Do të loboj kur e di se ky lobim nuk e dëmton në asnjë mënyrë Kosovën”, u shpreh Pacolli.

Deputeti i AKR-së dje e ka telefonuar dhe e ka uruar Ruton për zgjedhjen president të Kenias.

“Sot autoriteti zgjedhor i Kenias ka shpallur mikun tim të mirë Ëilliam Ruto si Presidentin e 5-të të Republikës së Kenisë. Sot e thirra mikun tim Presidentin Ruto për ta uruar dhe për t’i shprehur urimet e mia më të mira dhe për të punuar së bashku për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kenies”, ka shkruar Pacolli.

Presidenti i zgjedhur i kenias e kishte vizituar Kosovën me ftesë të Pacollit dhe i njëjti kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kenia është shtet me popullatë mbi 47 milionë banorë dhe shtrihet në lindje të kontinentit afrikan. Sipërfaqja e këtij shteti afrikan është mbi 580 mijë metra katrorë dhe është shteti i 48-të në botë për nga madhësia territoriale.

Kenia ka shpallur pavarësinë në vitin 1963 nga Britania e Madhe.

/GazetaSinjali/