image Pacienti nuk futet në sallë të operacionit për shkak të pluhurit – pritje deri në 4 vjet për operim të gjurit në QKUK

Kosovë

Shëndetësi/ Pacienti nuk futet në sallë të operacionit për shkak të pluhurit – pritje deri në 4 vjet për operim të gjurit në QKUK

news image

Arbias Ademi nga Vushtrria kishte përjetuar një lëndim të rëndë në dhjetor të vitit të kaluar. Me urgjencë ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për tretman mjekësor. Përkundër nevojës për operim të menjëhershëm, ai nuk ishte operuar në QKUK, por kishte shkuar në Shkup.

I riu nga Vushtrria teksa kishte qenë në një ndeshje futbolli me miq të tij, kishte lënduar rëndë gjurin. Në fakt kishte pësuar dëmtimin më të rëndë që mund të ndodhte në botën e futbollit. Ai kishte thyer gjurin dhe kishte dëmtuar ligamentin dhe meniskusin.

Por, kjo kishte qenë vetëm fatkeqësia e parë që Ademit i kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar. Pas ekzaminimeve të stafit mjekësor, atij i ishte konstatuar se i duhet operacion urgjent, megjithatë ai nuk e kishte operuar gjurin në QKUK.

Ai ishte frikësuar nga pluhuri që gjendet në sallën e operacionit dhe për këtë arsyeje, ai kishte shkuar në Shkup për ta operuar gjurin.

“Po unë kam refuzuar të hyjë në operim, shkaku që sallat kanë qenë me pluhur pas renovimit, kam pas frikë për ndonjë infeksion”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.

Megjithatë nevoja për operacion të tillë kanë edhe shumë kosovarë të tjerë. Numri i pacientëve që janë duke pritur për operacione të tilla në gjunjë, është më shumë se 400 pacientë. Këta pacientë nuk do të mund të operohen edhe për 3 apo 4 vjet të ardhshme, për shkak të kushteve që janë në QKUK.

Ushtruesi i Detyrës së Klinikës Ortopedike, Ridvan Krasniqi, pritjen e gjatë të pacientëve e arsyeton me mungesë të sallave në bllokun operator. Ai thotë se për kryerjen e këtyre operacioneve kanë nevojë për më shumë salla.

Ai ka potencuar se që nga viti 2016 janë edhe 10 pacientë që janë në pritje për operim, ndërsa përparësi kanë sportistët, policët dhe anëtarët e FSK-së.

“Që nga viti 2016 janë në pritje 10 pacientë, që prej vitit 2017 janë 15 pacientë, që nga viti 2018 janë 226 pacientë, ndërsa që nga viti i kaluar janë në pritje 139 pacientë”, ka deklaruar Krasniqi për Gazetën Sinjali.

Më tutje, ai thotë se gjatë një muaji mund të kryhen 20 deri në 25 raste të operimit. Por, thekson edhe mungesën e mjekëve për kryerjen e këtyre operacioneve. Deri në vitin e kaluar kanë qenë vetëm dy ekspertë që kryejnë operacione të tilla, ndërsa që nga viti i kaluar janë në total katër mjekë.

“Gjatë muajit mund të operohen 20-25 raste. Në Klinikën e Ortopedisë kanë qenë dy ekspertë deri para një viti, ndërsa nga viti i kaluar pas përfundimit të trajnimeve adekuate janë edhe 4 mjekë të cilët i kryejnë këto operacione”, ka deklaruar Krasniqi,

Gjithsej numri i pacientëve në pritje për ndërhyrje kirurgjike në Klinikën Ortopedike është 433 pacientë, sipas kësaj, i bie që për 4 vjet mund të kryhen 1200 intervenime.

Në anën tjetër pacientët që merren me sport profesional, policët dhe ushtarët e FSK-së, kanë përparësi në kryerjen e këtyre operacioneve. Përveç klinikës në QKUK operacione të tilla kryejnë edhe disa spitale private, që pacientëve u kushtojnë mijëra euro.

Dëmtimet në gju si ato të ligamentit dhe meniskusit, janë ndër lëndimet më të padëshirueshme për sportistë, për shkak se përveç kostos që kanë, kërkohet edhe një periudhë e gjatë kohore të riaftësimit të plotë./Gazeta Sinjali/