Furnizimi me oksigjen vazhdon të mbetet problem serioz për disa nga klinikat e QKUK-së. Madje disa prej tyre nuk janë të lidhura fare në sistemin qendror dhe oksigjeni u ofrohet pacientëve përmes bombolave, të cilat paraqesin edhe rrezik për shpërthim.
Luljeta Gashi ishte në hall për të siguruar një bombolë oksigjeni për motrën e saj, e cila po vuante nga një sëmundje e rëndë malinje, që po trajtohej në kirurgjinë abdominale. Mungesa e oksigjenit po e rëndonte edhe më shumë gjendjen e pacientes.
“E gjithë klinika kishte vetëm një bombolë oksigjeni dhe ajo po bartet nga një dhomë në tjetrën, varësisht nga nevojat e pacientëve”, ka thënë ajo.
Edhe familjarë të tjerë tregojnë se janë detyruar që bombolën e oksigjenit ta huazojnë nga klinikat tjera dhe bashkë me infermierët ta bartin atë, për t’u dalë në ndihmë familjarëve të sëmurë, në mënyrë që mos t’iu rëndohet gjendja edhe më shumë.
Ndonëse hezitojnë të flasin publikisht, mjekët në këtë repart thonë se mungesa e oksigjenit po e rëndon shumë situatën, ngase gjendja e pacientëve ndryshon nga çasti në çast, për të keq.
Anesteziologu, Hysen Hyseni, thotë se përdorimi i oksigjenit përmes bombolave të mëdha në hapësira të mbylluara, siç po ndodhë në disa klinika të QKUK-së, është e ndaluar në të gjitha shtetet evropiane, ngase rreziku për shpërthimin e tyre është shumë i madh.
“Bombolën nuk guxojnë ta prekin personat e paautorizuar, sepse ajo në kontakt me diçka të jashtme mund të shpërthejë. Furnizimi me oksigjen duhet të bëhet në të gjitha klinikat përmes sistemit qendror” – shton ai.
Në një komunikim të disa muajve më parë, të shkëmbyer nga përgjegjësit e Shërbimit Spitalor dhe kompanisë së kontraktuar me QKUK-në për furnizim me oksigjen, “Medica” thuhet se: “Qendra Klinike Universitare e Kosovës po rrezikon të mbetet pa oksigjen dhe kësisoj t’i rrezikojë edhe jetët e pacientëve nëpër klinika”.
Madje drejtues të kësaj kompanie e kishin cilësuar si alarmante gjendjen e rezervuarit, i cili furnizon pjesën më të madhe të klinikave të QKUK-së me oksigjen, duke kërkuar nga Shërbimi Spitalor riparim urgjent.
E në një përgjigje të shkurtër për gazetën Sinjali, zyra për informim e Shërbimit Spitalor, ka thënë se të dhënat lidhur me shpenzueshmërinë e oksigjenit janë gjeneruar duke u bazuar në porositë të cilat janë realizuar nga Shërbimi i Gazrave Medicinale, përmes Barnatores Qendrore.
Shpenzimet janë rreth 900 litra për 24 orë, për të gjitha klinikat. Ndërkaq Ardian Ukelli nga kompania “Medica”, ka thënë se brenda tre muajve të fundit, Klinikat e QKUK-së, kanë kërkuar rreth 1100 bombola me oksigjen, për nevojat e pacientëve.
Gazeta Sinjali ka pyetur edhe në Inspektoratin Shëndetsor, por në këtë inspektorat nuk kanë qenë në dijeni që disa klinika të QKUK-së, furnizohen me oksigjen përmes bombolave.
Nora Krasniqi, ushtruese detyre e kryeinspektorit shëndetësor, thotë se menjëherë pas interesimit të gazetës Sinjali, kanë dërguar inspektorët për të verifikuar gjendjen dhe sipas të gjeturave, Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka më së shumti telashe me sistemin qendror të oksigjenit.
Inspektorati ka rekomanduar drejtorët e Klinikave që të rishikohet mundësia që të gjitha dhomat të lidhen në sistemin qendror të oksigjenit dhe që përdorimi i bombolave të bëhet vetëm në raste kur nuk ka zgjidhje tjetër momentale./Sinjali/