image Pacientët në Gjinekologji presin në radhë, mjekët qëndrojnë në pauzë gati dy orë (VIDEO)

Shëndetësi

Pacientët në Gjinekologji presin në radhë, mjekët qëndrojnë në pauzë gati dy orë (VIDEO)

news image

Pacientët e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë ankuar për vonesa në marrjen e shërbimeve dhe sjellje negative nga ana e mjekëve, shkruan Gazeta Sinjali.

Një paciente ka thënë për Gazetën Sinjali se mjekët e kësaj klinike kanë qëndruar në pauzë nga ora 09:55 deri në orën 11:38.

Pacientja ka pyetur mantilbardhët se kur përfundon pauza dhe ata dëgjohen teksa i thonë në orën 11:00, ndonëse në derën e zyrës së stafit shkruante se pauza fillon në orën 10:00 dhe përfundon në orën 10:30.

Gjatë gati dy orëve sa pacientët kanë pritur në korridorin e kësaj klinike, kjo paciente thotë se edhe pacientët e tjerë kanë filluar të nervozohen dhe të bërtasin.

Megjithëse më pas i kanë marrë shërbimet për të cilat kanë shkuar, kjo paciente thotë se sjellja e mjekëve dhe mamive ka qenë shumë negative.

Lidhur me këtë rast Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin e kësaj klinike, Jakup Ismailin, i cili tha se ka biseduar me mamitë dhe mjekët për ankesën e pacientes në fjalë.

Ismaili ka thënë se gjinekologia që ka qenë në ndërrim është vonuar për shkak të një lindjeje të komplikuar që ka kryer me operacion dhe e cila ka zgjatë më shumë.

Ndërkaq për mamitë që kanë pauzuar për gati dy orë thotë se nuk mund t’i kontrollojnë pacientët pa prezencën e mjekut përgjegjëse që në këtë rast, sipas tij, ka qenë e zënë në një lindje të komplikuar.

“Një doktoreshë sot ka qenë në ndërrim. Është vonuar për shkak se lindja ka qenë e komplikuar, ka zgjatë pak më shumë. Mamitë kanë qëndru në zyre sepse kanë qenë duke e pritur doktorin derisa ka ardhë, ato motrat nuk e kontrollojë.”

“Ato janë në shërbim të mjekut, do të thotë ndihmëse. Mirëpo, doktoresha që ka qenë në orar në atë kohë e ka pasë një lindje të komplikuar me operacion që ka zgjatë pak më shumë. Në 11:30, pasi që e ka kry lindjen, doktoresha ka ardhë. Veç një paciente është anku”, tha Ismaili për Sinjali./Gazeta Sinjali/