Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka mbajtur një takim me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, ku i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO dhe Partneritetin për Paqe.
Në këtë takim, mes tjerash u diskutua edhe për njohjen e Kosovës nga ana e Greqisë, ku presidentja Osmani shprehu gatishmëri rreth themelimit të bashkëpunimit të dy shteteve, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga Zyra e Presidentes kanë njoftuar se Osmani i ka përmendur edhe tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi duke përdorur shtetin serb.
“Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë”, thuhet në komunikatë.
Osmani ka theksuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.