image Osmani: Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane

Politikë

Osmani: Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e fundit të Konferencës për Sigurisë në Mynih ka folur në tryezën e rrumbullakët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një njoftimi për media, Osmani në këtë konferencë ka folur për progresin thelbësor që po bën Kosova në fusha të ndryshme dhe njëkohësisht përmendi sfidat me të cilat përballet shteti ynë me një fqinj agresiv dhe destabilizues.

Po ashtu, Osmani theksoi nevojën për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo theksoi se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident dhe se Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane. Presidentja Osmani, megjithatë theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm në procesin e dialogut dhe potencoi se Kosova e ka dëshmuar gjithnjë konstruktivitetin e saj në proces”, thuhet në njoftim.

Vjosa Osmani tha se Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete.

Ajo shtoi se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

/GazetaSinjali/