image Osmani pyetet se a do të takohet me Vuçiqin: Jemi këtu të japim kontributin e vogël, por të rëndësishëm

Politikë

Osmani pyetet se a do të takohet me Vuçiqin: Jemi këtu të japim kontributin e vogël, por të rëndësishëm

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Budapest të Hungarisë, atje ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Kryetarja e shtetit ka folur shkurt para mediave, ku është pyetur edhe për një takim të mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Fillimisht, Osmani është pyetur për fitoren e kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ku u shpreh:

“Kosova ka pasur mbështetje dypartiake amerikane, që në fillim të viteve 90’ jemi bekuar me këtë përkrahje dhe për këtë arsye, kemi çdo arsye që të besojmë se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe tani me administratën e Trump”.

Tutje, ajo ka thënë se mezi pret të takohet me liderë të tjera dhe shpreson në rezultate produktive.

“Shpresoj që në fund të ditës të kemi rezultate produktive, mezi pres të takohem me liderë dhe të diskutojmë specifikat e marrëdhënieve tona. Por, edhe të kërkoj përkrahjen e tyre për integrimin euroatlantik të Kosovës”, tha Osmani.

Nga gazetarët e huaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u pyet nëse do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, gjë të cilën e mohoi.

“Jo, zakonisht ne nuk takohemi. Siç e dini, Kosova dhe Serbia takohen nën dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Diskutimet vazhdojnë në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim përpara me implementimin e marrëveshjeve që janë arritur“, tha ajo.

/GazetaSinjali/