Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkuar në Washington D.C me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.
Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të organizatës ushtarake, ka njoftuar Zyra e Presidencës.
Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende në nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, shkruan Zyra e Presidencës.