Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim ministren e shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Për takimin ka shkruar Osmani, e cila ka treguar se çfarë kanë diskutuar me ministren gjermane, Lührmann.
“Diskutim i mirë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
Gjermania ka kërkuar të gjendet një mundësi që Kosova t’i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.
Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit.
Ai thotë se “nëse Kosova e bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.
Osmani ka konfirmuar së fundmi se ekziston kërcënimi që Kosova të largohet nga Procesi i Berlinit.