Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit me emisarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, raporton Gazeta Sinjali.
Osmani ka thënë se mbështetja amerikane për vendin tonë rikonfirmohet sa herë që Escobar viziton Kosovën, teksa ka bërë të ditur edhe temat të cilat janë diskutuar në takim.
Sipas saj, ndër temat e diskutimit ishte procesi i dialogut dhe nevoja që ky proces të intensifikohet. Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të angazhohet që kjo të ndodhë.
“Mbështetja amerikane rikonfirmohet sa herë që Escobar viziton Kosovën. Vura në pah përkushtimin dhe punën e vazhdueshme të Republikës së Kosovës për të ndërmarrë hapat për anëtarësim në organizatat euroatlantike.
Natyrisht sot diskutuam edhe nevojën për të ecur përpara në procesin e dialogut. Kam ritheksuar se Kosova është dhe ka qenë gjithmonë pala konstruktive, dhe shpreha angazhimin tonë që Kosova të angazhohet edhe më shumë për të intensifikuar procesin e dialogut”, tha Osmani.
Ajo tha se në takim me Essobar ka shprehur shqetësimin e saj për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë.
“Shpreha shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu shpërbërjen e strukturave ilegale kriminale që vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga SHBA-së”, tha Osmani para mediave.