image Osmani pas sulmit në Ibër-Lepenc ka folur me Sekretarin e Jashtëm britanik dhe zv. Sekretarin amerikan

Politikë

Osmani pas sulmit në Ibër-Lepenc ka folur me Sekretarin e Jashtëm britanik dhe zv. Sekretarin amerikan

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas sulmit në Ibër-Lepenc, ka biseduar me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy dhe zv. Sekretarin Amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, transmeton Gazeta Sinjali.

Osmani i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc.

Se Osmani i ka zhvilluar këto bisedime e ka konfirmuar Bekim Kupina, Këshilltari për media nga Zyra e Presidencës.

Kupina tha se Osmani ka zhvilluar biseda edhe me liderë e partnerë ndërkombëtarë të tjerë pas sulmit të fundit terrorist që ka targetuar infrastrukturën vitale në vend.

“Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina për Gazetën Sinjali.

Sulmi ka ndodhur më 29 nëntor në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

/GazetaSinjali/