Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka demantuar lajmin që është publikuar në media, ku thuhet se ajo ka shpenzuar 1 mijë euro mëditje për 3 ditë në Shqipëri, shkruan Gazeta Sinjali.
Osmani përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk i ka marrur vetëm ajo 1 mijë euro, por të gjithë anëtarët e delegacionit nga presidenca.
Osmani ka shtuar se ajo i ka marrë vetëm 39 euro në ditë mëditje, që sipas saj, kanë krijuar totalin që po përmendet.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë
Gjatë ditëve në vijim, ashtu siç ka ndodhur shpeshherë deri më tani, do të përballeni me një sërë propagandash. Një të tillë mund ta lexoni sot në mengjes tek Gazeta Express e cila thotë Osmani mori 1 mijë euro mëditje për 3 ditë në Shqipëri.
Kjo nuk është e vërtetë. Nuk i kam marrë unë 1 mijë euro, por ashtu siç përcaktohet me ligj, të gjithë anëtarët e delegacionit nga presidenca (sepse kemi qenë diku rreth 8 e jo vetëm unë) kanë marrë nga 39 euro në ditë mëditje, të cilat e kanë krijuar totalin që po përmendet.
Edhe pse në përgjigjen e kthyer për Express nga zyra për media potencohet qartë se ajo shumë është për të gjithë anëtarët e delegacionit, Express dezinformon se gjoja unë kam marrë e vetme ato 1 mijë euro.
Përndryshe kjo është një ndër vizitat e rralla kur shpenzohet kaq pak në një vizitë zyrtare. Së shpejti do të publikohen shpenzimet e që të gjithëve dhe do të shihni krahasimin se si të tjerët kanë shpenzuar. Qofshin ato nga qindra mijëra euro mëditje, udhëtime, përdorim i kartelës zyrtare etj etj.
Për momentin, mund ta shihni këtë krahasim, për 11 muajt e mi si Kryetare e Kuvendit (i bazuar në raportet zyrtare të Kuvendit) dhe shumë shpejt do të publikoj edhe raportin e shpenzimeve të krahasuara në Presidencë (Vini re: Shpenzimet janë për komplet kabinetin e jo shpenzimet e mia individuale).
Edhe pse kurrë s’kam dashur të merrem me këto çështje përkundër faktit që kam shpenzuar rreth 30 fish më pak se të tjerët, propagandës së ulët do t’i përgjigjemi me fakte.
Prandaj, ju lus që të keni kujdes kurdo që lexoni “lajme” të tilla dhe paraprakisht t’i konfirmoni ato me raportet zyrtare të institucioneve lidhur me ato shpenzime.
Ne do të jemi transparent me secilin cent të shpenzuar, por në të njëjtën kohë to t’u jepim qasje mediave për të parë edhe sa kanë shpenzuar ata që ishin para nesh, përkundër ndërhyrjeve kriminale që po kemi kohë pas kohe për të parandaluar një gjë të tillë./Gazeta Sinjali/