image Osmani nga Austria: I bëj thirrje presidentit Vuçiq që së paku ta vendos një lule në Batajnicë

Shëndetësi

Osmani nga Austria: I bëj thirrje presidentit Vuçiq që së paku ta vendos një lule në Batajnicë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Austri, raporton Gazeta Sinjali.

Osmani është takuar me homologun e saj austriak, Aleksandër Van der Bellen, me të cilin, pas takimit, doli në një konferencë për media.

Osmani tha se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që i ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Madje, ajo i bëri thirrje publike presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të vendos lule në Batajnicë.

“Në atë luftë ka pasur mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale, numrin më të madh të fëmijëve të vrarë, 1936 të pagjetur, të cilët janë zhdukur me dhunë gjatë luftës. Për këto krime ende nuk ka drejtësi, kërkimfalje.”

“I bëj thirrje presidentit Vuçiq, që së paku ta vendos një lule në Batajanicë, në varrezën masive, në të cilën janë gjetur qindra fëmijë të vegjël dhe gra të cilët janë vrarë gjatë luftës në Kosovë. Për të pasur sukses cilido proces, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, sepse historia ka dëshmuar që çdoherë kur ka pasur luftë, çdoherë kur ka pasur padrejtësi, ajo që ka qenë parakusht për të arritur paqe të qëndrueshme, ka qenë drejtësia.”

“Prandaj, ne si Kosovë, kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë hakmarrje. Kërkojmë që të na kthehen eshtrat e personave të pagjetur, në mënyrë që familjet e tyre të kenë një vend ku ta vendosin një lule, kur t’i përkujtojmë ata që kemi humbur. Unë e shoh drejtësinë si një parakusht për paqe të qëndrueshme, prandaj do të insistojmë në këtë përgjatë procesit.

Osmani tha se zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në Ballkan është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe drejtësia për civilët e vrarë, të mbijeturat e dhunës seksuale dhe të pagjeturit.

“Kjo që ju po e quani zgjidhje, për ne është njohje reciproke, është po ashtu e domosdoshme, sepse asnjë zgjidhje tjetër, përveç njohjes reciproke në kufijtë aktual të Kosovës, nuk do të mund të sillet paqe të qëndrueshme në rajonin tonë. Mendoj që BE duhet të jetë e qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luajë me dy karta, edhe me Rusinë edhe me BE-në. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë, edhe në atë me Rusinë edhe me BE-në, duhet ta zgjedh se cila është rruga e saj e vërtetë, e jo të sillet si proevropian në njërën anë, por ta rrisë bashkëpunim edhe ushtarak edhe ekonomik me Rusinë, duke e rrezikuar të gjithë rajonin tonë nga ndikimi rus”, tha ajo para gazetarëve./Gazeta Sinjali/