image Osmani: Me anëtarësim në KiE familjarët e personave të zhdukur mund të padisin Serbinë

Politikë

Osmani: Me anëtarësim në KiE familjarët e personave të zhdukur mund të padisin Serbinë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të pagjetur të zhdukur me dhunë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku mund të padisin Serbinë.

Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, të gjitha familjet do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ta paditur Serbinë për shkeljen e të drejtës në jetë për familjarët e tyre, për shkeljen e të drejtës në dinjitet njerëzor dhe shumë të drejta të tjera, të cilat i kanë familjarët”, ka thënë Osmani në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.500 persona – shumica dërrmuese shqiptarë.

Institucionet e Kosovës thonë se përgjatë këtyre dy vjetëve u kryen rreth 400 masakra në tërë territorin e vendit. 

Nga viti 1999 u identifikuan dhjetëra varreza masive në territorin e Kosovës dhe atë të Serbisë. 

Edhe sot, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur – shumica shqiptarë. 

/GazetaSinjali/