Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundmi ka folur rreth situatës në Ukrainë pas luftimeve që po bëhen nga Rusia.
Osmani duke folur për “The Economist” e ka vlerësuar gjendjen, duke thënë se Kosova i di mjaft mirë pasojat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm.
“Kosova i di shumë mirë pasojat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Zbutja e hershme e Sllobodan Millosheviçit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për të krijuar një “Serbi të Madhe”. Dhuna çoi në qindra mijëra vdekje, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona”.
Po ashtu, Osmani ka vlerësuar se marrëdhënia e Rusisë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, duhet të ngrejë alarm nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Washington.
“Marrëdhënia e Rusisë me liderët më luftarak dhe problematikë të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, nuk është sekret. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet të ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Washington”.