image Osmani: Institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre

Siguri

Osmani: Institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e pafalshme mënyra sesi po trajtohen policët në Kosovë, të cilët, sipas saj, kanë bërë që Policia e Kosovës të jetë njëri ndër institucionet më të besuara në vend.

Këtë mbështetje për policët, Osmani e ofroi në një takim me kryetaren e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Ragip Ajeti.

“Ajo pohoi se kontributi i Policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm. Rrjedhimisht, ajo tha se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale. Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani takoi zyrtarët e sindikatës së policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Ndërsa, përfaqësuesit e policëve në këtë takim parashtruan problemet me të cilat po përballen.

“Përfaqësuesit e Sindikatës së policisë së Kosovës e njoftuan znj. Osmani me sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke përmendur orarin e tejzgjatur, moskompensimin e angazhimit në ndërrimin e natës si dhe orëve shtesë”, thuhet në komunikatë.

Kjo sindikatë pati reaguar duke kërkuar ngritje pagash, pagesën e shujtave dhe në rast të mos realizimit të këtyre kërkesave ata nuk kanë përjashtuar asnjë veprim. /Gazeta Sinjali/