image Osmani i quan 'fake news' raportimet për 'draftin gjerman' për Asociacionin

Politikë

Osmani i quan ‘fake news’ raportimet për ‘draftin gjerman’ për Asociacionin

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka quajtur “fake news” një draft-statut të Asociacionit që gjatë ditës së djeshme u publikua në media, e që u tha se është përgatitur nga ekspertë gjermanë.

“Nuk e kam parë atë draft mbi tavolinë sepse është ‘fake news’, nuk është e vërtet që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar Republikës së Kosovës e as nuk do të ketë. Për shkak se qëndrimi i partnerëve tanë është i qartë. Ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e përmendin se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Kushtetueses. Sekretari amerikan Blinken rikonfirmoi në takimin që kishim në SHBA se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bie ndesh me Kushtetutën e Kosovë”, ka thënë Osmani në një adresim për media.

Sa i përket çështjes së iniciativës Franko-gjerman, Osmani tha se ka për qëllim nxitjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Presidentja theksoi se do të ketë takime në javët në vijim nga përfaqësuesit franko-gjermanë për të dhënë detaje rreth iniciativës. Ajo tha se qëllimi i tyre është i mirë. Megjithatë, Osmani tha se në asnjë mënyrë nuk do të tolerojnë të cenohet sovraniteti i Kosovës.

Po ashtu Osmani ka folur të premten për çështjen e targave, ajo tha se zbatimi i vendimit është çështje e sundimit të ligjit.

“Ekisiton një grup i vogël i serbëve që nuk i kanë konvertuar targat në RKS. Shtyria e vazhdueshme e zbatimit të vendimit nënkupton se po tolerohen kërcënimet e bandave kriminale serbe”, tha ajo.

Ajo ka ftuar qytetarët serbë që të mos bien pre e presioneve dhe kërcënimeve serbe.

/GazetaSinjali/