Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot i është drejtuar me letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, për të kërkuar më shumë informata për rastin e deputetit të dënuar, Ethem Arifit.
Kjo është konfirmuar nga kabineti i kryeparlamentares, nga ku thanë se Osmani ka kërkuar aktgjykimin e kësaj gjykate për deputetin Arifi dhe dokumente të tjera lidhur me rasin që është i përfshirë ky i fundit.
Deputeti Arifi nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në janar të këtij viti, është dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Arifi së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjëve”, u dënuan pasi Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë i gjetën fajtorë për përvetësimin e 26 mijë eurove.
Sipas aktakuzës Arifi dhe Gashi nuk i kanë përdorur subvencionet e Ministrisë për atë qëllim që u janë ndarë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.
Ethem Arifi u dënua pasi që si deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim në Parlamentin e Kosovës ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove./Gazeta Sinjali/