image Osmani e Kurti: Faleminderit Distria për medaljen e parë olimpike

Kosovë

Osmani e Kurti: Faleminderit Distria për medaljen e parë olimpike

news image

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar xhudisten Distria Krasniqi për fitoren e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike Parisi 2024. Sipas tyre, Distria e ngiti flamurin në majat më të larta.

“Stoike e luftarake! Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. Faleminderit Distria, faleminderit Toni!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Kurti ndërkaq falënderon Distrian për “gëzimin dhe shembullin që na jep”.

“Kosova fitoi medaljen e parë në Lojërat Olimpike Paris 2024, me shkëlqimin e argjendtë të Distria Krasniqit në xhudo për femra në kategorinë deri në 52 Kg. Xhudistja e Uzbekistanit në minutën e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje. Distria sot gjatë ditës fitoi tri ndeshje: të parën për 39 sekonda, të dytën për 66 sekonda e të tretën për 6 minuta e 10 sekonda (2:10 sekonda në vazhdimin që quhet Golden Score). Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos. Të faleminderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/