Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cilëson si absurd dekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit, pasi sipas saj procesi po kontestohet në gjykatat e Kosovës.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar edhe në takimin e fundit, por edhe me shkrim. Është absurde të pritet që të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës”.
“Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji e unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, është shprehur Osmani.
Kujtojmë se Blerim Isufaj ishte personi me më së shumti pikë në listë për t’u bërë kryeprokuror, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme ankesën e prokurorëve Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti.
Kushtetuesja konstatoi se dy prokurorët që janë ankuar, nuk i kanë shterur mundësitë ligjore përpara se rastin ta çojnë në kushtetuese, duke i shpallur kështu kërkesat e tyre të papranueshme mbi baza procedurale.