image OSBE: Jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla rreth udhëzimit administrativ për zgjedhjet në veri

Politikë

OSBE: Jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla rreth udhëzimit administrativ për zgjedhjet në veri

news image

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka deklaruar se është i gatshëm të ofrojë këshilla dhe ndihmë për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në hartimin e udhëzimit administrativ për zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës.

Në një përgjigje për RTV21, nga OSBE theksuan se misioni mori njoftimin para dy javësh për krijimin e Grupit Punues që do të merret me hartimin e “Udhëzimit administrativ për përcaktimin e procedurave për nismat qytetare për shkarkimin e kryetarëve të komunave”.

Misioni ka theksuar se është i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo ftese nga Ministria dhe të ndihmojë në përputhje me mandatin e tij.

“Misioni i OSBE-së mori njoftimin para dy javësh të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për krijimin e Grupit Punues për hartimin e “Udhëzimit administrativ për përcaktimin e procedurave për nismat qytetare për shkarkimin e kryetarëve të komunave”. Misioni në Kosovë është i gatshëm të ofrojë këshilla në këtë fushë në përgjigje të çdo ftese nga Ministria dhe në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

OSBE ka bërë të ditur se që nga viti 2017, organizata nuk ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve. Kjo, thekson misioni, pasqyron rritjen e kapaciteteve dhe kompetencave të institucioneve të Kosovës që operojnë në fushën e zgjedhjeve, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Që nga viti 2017, OSBE-ja nuk ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Kjo pasqyron kapacitetin dhe kompetencën e shtuar të institucioneve të Kosovës që punojnë në këtë fushë, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe mbështetjen e qëndrueshme nga Misioni i OSBE-së në Kosovë gjatë shumë viteve. Që nga viti 2017, Misioni ka ndihmuar institucionet e Kosovës përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve me këshilla dhe mbështetje për reformën zgjedhore, si dhe me mbështetje teknike dhe trajnime”, thuhet në përgjigje.

/GazetaSinjali/