Orkestra “Amadeus” nga Kosova ka shënuar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke u kthyer nga Praga me medaljen e artë dhe katër vlerësime në festivalin prestigjioz “Musica Orbis”.
Nën drejtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli, fëmijët dhe të rinjtë e orkestrës fituan Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë (Gold Medal), duke u vlerësuar për nivelin e lartë artistik dhe interpretimin e tyre.
Përveç suksesit të orkestrës, u ndanë edhe çmime individuale. Violinisti Elton Syla u nderua me çmimin special si koncertmjeshtër dhe solist, ndërsa Princ Fanaj mori çmimin special si violinisti më entuziast nga grupi i violinave të para.
Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ishte edhe Çmimi i Publikut, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus”, duke reflektuar mbështetjen dhe duartrokitjet e audiencës gjatë festivalit.
Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e talentit të muzikantëve të rinj nga Kosova dhe e punës së përkushtuar të dirigjentit Vehbi Shosholli, stafit të shkollës “Amadeus”, mësimdhënësve dhe prindërve, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin artistik të orkestrës.
Triumfi në Pragë e vendos edhe një herë Kosovën në mesin e skenave ndërkombëtare të muzikës, duke dëshmuar potencialin e artistëve të rinj në konkurrencë me orkestrat nga vende të ndryshme të botës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!