“Parada e Krenarisë” organizohet sot në Prishtinë duke filluar nga ore 11:30 në sheshin “Skenderbeu”. Motoja e këtij viti do të jetë “Për kon t’rreh zemra”.
“Këtë vit, na rreh zemra për drejtësi. Na rreh zemra të kemi lirinë të jemi vetvetja dhe të shprehemi lirshëm. Na rreh zemra që të kemi siguri në rrugë, shkollë e institucione shtetërore. Për një shtëpi të sigurt në të cilën trajtohemi me dinjitetin që e meritojmë. Na rreh zemra për Dashni. Na rreh zemra për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të paradës.
Në fund të këtij organizimi do të mbahet edhe një koncert. Gjatë Javës së Krenarisë, janë adresuar çështjet e gjendjes aktuale të komunitetit LGBTI në Kosovë.
Edhe në dy vitet e kaluara në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë” ku të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë mbështetësit e komunitetit LGBTI, aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës.
Në anën tjetër, partia “Fjala” e Gëzim Kelmendit, ka thirrur për sot një konferencë për media – siç kanë thënë kundër paradës së “krenarisë”.
“Të nderuara media, iu ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media të Partisë FJALA kundër paradës së krenarisë. Konferenca mbahet nesër e enjte me datë 10.10.2019 në qendër të Prishtinës para Teatrit Kombëtar në ora 09:30”, thuhet në njoftimin për media.
Ky është viti i tretë me radhë që organizohet “Parada e Krenarisë” në Kosovë./Gazeta Sinjali/