Organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare përmes një letre publike kanë kërkuar që të ndalet gjuha denigruese që po bëhet ndaj gazetarëve.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me një grup të organizatave mediatike, shoqatave dhe sindikatave, i kanë shkruar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke bërë thirrje për ndaljen e menjëhershëm të përdorimit të gjuhës denigruese ndaj gazetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas kësaj organizate kjo gjuhë ka ardhur nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga Zyra e Presidentit dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
“Ne, organizatat e nënshkruara, bëjmë thirrje për t’i dhënë fund të menjëhershme gjuhës denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarë dhe individë të lidhur me partinë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e Presidentit dhe institucione të tjera të nivelit të lartë”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu, kjo organizatë i ka quajtur shqetësuese edhe deklaratat e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriut.
“Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriut, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar sidomos në Ballkan”, thuhet në këtë reagim.