Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të martën se ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mund të parandalonte luftën e Rusisë në Ukrainë, nëse do të ishte ende në zyrë.
Në një organizim të mbajtur në Berlin, Orban ka thënë se Merkel e ka parandaluar një luftë më 2014, pas vendimit të Moskës për të aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.
“Ajo çfarë ka bërë Angela Merkel pas krizës së lidhur me Krimenë, ka qenë fantastike”, ka thënë ai.
Orban, politikan i linjës së djathtë, i cili ka shumë kritikë në Qeverinë gjermane të krahut të majtë, është takuar të dielën me Merkelin, në kuadër të vizitës së tij në Berlin.
Me publikun nuk janë ndarë detaje se për çfarë kanë diskutuar ata.
Përgjatë organizimit të së martës, Orban ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden nuk është personi i duhur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas tij, momentalisht është e nevojshme një marrëveshje në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Mirëpo, sipas tij, Biden e ka kritikuar shumë presidentin rus, Vladimir Putin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, raporton rel.