image Opozita kërkon që ish-prokurores së EULEX t’i lejohet raportimi në Kuvend, VV hesht

Drejtësi

Opozita kërkon që ish-prokurores së EULEX t’i lejohet raportimi në Kuvend, VV hesht

news image

Në adresën e Kuvendit të Kosovës, sërish ka arritur një kërkesë për raportim.

Edhe kësaj radhe, ajo ndërlidhet me skandalet që pretendohet se janë kryer nga Misioni i EULEX-it në Kosovë.

Pas Malcolm Simmons, është ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila po kërkon të raportojë para ligjvënësve kosovarë për shkeljet që thotë se janë kryer nga ky mision.

Në kërkesën që Bamieh e ka dërguar në Kuvend e të cilën e ka siguruar televizioni publik, ajo thotë se ka prova për ndërhyrje në proceset gjyqësore të EULEX-it, korrupsionit e veprimeve tjera të paligjshme. E përveç kërkesës, ajo ka bashkëngjitur edhe dy dokumente të rëndësishme ku janë paraqitur disa prova rreth pretendimeve të saj.

Këtë kërkesë ajo ia ka drejtuar kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemit.

“Shpresoj që do ta merrni parasysh dëshminë time drejtuar Parlamentit të Kosovës. Unë mund t’ju siguroj dokumente dhe dëshmi të tjera që t’i mbështes pretendimet e mia, nëse më ftoni të jap dëshminë. Për momentin jam duke pritur rastin tim në Londër, të parashtruar ndaj Zyrës së Jashtme Britanike, në lidhje me dështimin e saj për të më mbrojtur nga veprimet shtypëse të EULEX-it”, thuhet në letër.

Në një përgjigje të shkurtër për televizionin, Maria Bamieh, ka thënë se pret që të merr përgjigje sa më shpejtë nga Kuvendi për kërkesën e saj.

Për këtë çështje, Kryetari i Komisionit për Legjislacion Adnan Rrustemi, nuk është përgjigjur për mënyrën se si do të trajtohet kjo kërkesë.

Megjithatë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë që Bamiehs t’i mundësohet raportimi në Kuvend.

“Pranojmë çdo sugjerim nga ata që kanë pasur përgjegjësi në EULEX dhe tani po dëshmojnë se EULEX-i ka qenë këtu vetëm sa për t’i disiplinuar politikanët. Kërkesa duhet të pranohet sa më shpejtë, dhe ajo të dëshmojë para kuvendarëve”, ka thënë Lekaj.

Për avokatin Taulant Hodaj, edhe pse Kosova nuk mund të marrë asnjë masë ndaj EULEX-it, Kuvendi mund të hartojë raport me gjetje e ta dërgojë në Parlamentin Evropian.

“Është legjitime nga Parlamenti i Kosovës t’i dëgjojë këto shqetësime dhe nëse ka argumente, prova, t’i adresojë këto probleme në instanca si Parlamenti Evropian dhe ata të merren me këto shkelje që kanë mundur të ndodhin në Kosovë”, shprehet Hodaj.

Edhe avokati Skënder Musa, shprehet se nuk ka asgjë të keqe që Maria Bamieh të raportojë në Kuvend.

“Skandalet që kanë mundur të jenë në EULEX është mirë të bëhen publike dhe në këtë aspekt është e mirëseardhur kërkesa e Bamieh dhe prokurorëve e gjyqtarëve tjerë të EULEX-it, që mund t’i çet në pah dështimet e këtij misioni, dhe urdhrat që janë marrë për t’i dënuar qytetarët e pafajshëm të Kosovës”, thotë Musa.

Maria Bamieh që nga viti 2012, kishte raportuar për skandale dhe afera korruptive të cilat pretendon se kanë ndodhur brenda misionit të BE-së për sundim të ligjit.

Javë më parë në Kuvendin e Kosovës kishte raportuar edhe ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons.

Akuzat e tij përfshinin ndërhyrjet politike në procese gjyqësore, manipulim të provave e dëshmitarëve, e dërgim të dosjeve nga EULEX-i në Beograd./Gazeta Sinjali/