Kanë kaluar tre vite që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës dhe ky proces ende është shumë i diskutuar dhe po konsiderohet si i papërfunduar.
Ishte pikërisht kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti, që dikur ishte kundërshtari më i madh i kësaj marrëveshje.
Kurti madje nuk e ka formuar ende komisionin shtetëror për shënjimin e kufirit, të cilin e kishte paralajmëruar muaj më parë.
E dy nga partitë opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se kryeministri asnjë veprim nuk e ka prioritet që shkon në forcimin e shtetit dhe të qytetarëve, e që në këtë rast po e injoron një komision shumë të rëndësishëm.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, thotë se Kurti po heziton formimin e komisionit të cilin vet e kishte paralajmëruar, derisa Musliu po e konsideron nguti të Kurtit proklamimin e temave të mëdha.
“Konsideroj që kryeministri i Kosovës, vet ka paralajmëruar diçka të tillë dhe tani po heziton ta bëjë, konsideroj që nguti e tij për proklamimin e temave të mëdha pa e njohur mirë realitetin dhe pa e njohur mirë problemin shkakton dilema të tilla”.
“Nuk është kjo tema e vetme e Kutit që ka bërë fushatë parazgjedhore por edhe me nguti me ardhjen si kryeministër kemi edhe reciprocitetin pastaj edhe zhbërjen e gjykatës Speciale e shumë tjera të tjera që i ka propaganduar sa ka qenë në opozitë dhe tani sikur i ka heshtur, por nuk është kjo tema e vetme sepse ka tema të shumta që i ka heshtur”.
Se a mund të ketë acarim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pasi që pala malazeze ka thënë se nuk do të ketë rishikim, Musliu thekson se gjithçka mund të pritet nga Kurti.
Sipas saj, Kurti është i interesuar të krijojë tollovi në vend, e që për këtë deputetja Musliu e porosit kreun e Qeverisë që të jetë i vetëdijshëm dhe i vëmendshëm sa i përket zhvillimeve politike në vend.
“Gjithçka është e pritur nga Kurti, ai është i interesuar që në vend të krijojë tollovi dhe në rastet e tilla unë konsideroj që Kurti duhet të jetë shumë i vetëdijshëm dhe i vëmendshëm për zhvillimet politike në vend, për gjendjen nëpër të cilën po kalon Kosova dhe të jetë i kujdesshëm në çdo veprim që bënë si kryeministër”, ka thënë ajo për EO.
Musliu e ka quajtur Kurtin kryeministër me korrespodencë, pasi që sipas saj, ai më shumë është duke qëndruar jashtë vendit.
“Ne si opozitë do ta luajmë rolin tonë në Kuvend, dhe do të jemi aty të përgjegjshëm për punët dhe detyrat që na takojnë neve ndërsa kërkojmë nga Kurti që detyrat ti mbaj me përgjegjësi dhe jo të jetë një kryeministër me korrespodencë sepse më shumë po është jashtë vendit se sa në Kosovë, pa pasur ndonjë agjendë të definuar”.
Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj thotë se Kurti po e injoron komisionin shtetërorë për shënjimin e kufirit, e që sipas tij rëndësia është shumë e madhe për Kosovën.
Lekaj e ka këshilluar kryeministrin Albin Kurti që sa më parë ta formojë komisionin dhe të fillojë punën.
“Sa i përket qeverisë Kurti si çdo veprim tjetër që vonohet dhe nuk i ka prioritet ato që shkojnë në forcimin e shtetit dhe të qytetarëve edhe në këtë rast Kurti po e injoron një komision që është mjaftë domethënës për Kosovën e sidomos për vijën kufitare apo marrëveshjen të Malit të zi dhe Kosovës”.
“Ajo që ne duhet të bëjmë dhe e këshillojmë Kurtin është që sa më parë të themelohet që sa më parë të themelohet një komision i tillë dhe të fillojë punën, kështu që e kemi një marrëveshje i kemi dy nënshkrime nga ish presidenti Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi dhe mendoj që kjo sa më parë të përfundojë, dhe ne insistojmë që demarkimi i kufirit të bëhet ne interes të Kosovës dhe në asnjë interes të Malit të Zi, ne e kuptojmë që kemi raporte të mira me Malin e Zi por ato raporte duhet të forcohen”.
Ai thotë se duhet të insistojnë që marrëveshja e kufirit të bëhet në interes të Kosovës, e krejt këto veprime po i cilëson të neglizhuara nga kryeministri.
“Varet prej qeverisë Kurti dhe nëse ai e sheh si prioritet dhe meqë ai ka qenë edhe vet i angazhuar sa ka qenë në opozitë atëherë shpresojmë që të formohet sa më parë ky komision. Sa i përket palës malazeze ata e mbrojnë të vetën por ne si Kosovë ne jemi dakorduar ka një rezolutë dhe dy marrëveshje dhe ne i mbrojmë interesat e shtetit të Kosovës”.
“Unë nuk e di edhe në veprimet e tjera është shumë neglizhencë ku shumë e ka ngritur zërin sa i përket mbrojtjes së asaj prone prej 8 mijë e 200 hektarë dhe tani po e neglizhon dhe askund nuk shihet në horizont formimi i Komisionit”.
Marrëveshja për demarkacionin më Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë, është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimi të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.