Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të djeshëm në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, sot ka vazhduar me aksionin e radhës në tri lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit. Cak i organeve të rendit ishin disa persona të njohur në atë rajon për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të fajdes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se personi kryesor që ishte cak i aksionit është Albert Rexhepi – që njihet si ‘Albert Malisheva’ dhe po ashtu edhe njerëzit e tij, të përfshirë në veprat ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’.
Pas raportimit dhe zbulimit të identitetit të tij, ai është lajmëruar në rrjete sociale, ku në një koment në Facebook, ka shkruar “Nuk jam në arrati po jam ne pushim dhe ju prgjigjna thirrjes së policis dhe prokuroris së”.
Ndërsa njëri prej dy të arrestuarve është Mefail Shkodra, që tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
I dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, Shkodra në disa fotografi të publikuara në Facebook është parë nën shoqërimin e figurave politike me ndikim të madh në Kosovë.
Ai është fotografuar me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.
Ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”.
Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro, raporton Sinjali.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.