Policia e Beratit ka ekzekutuar 11 masa sigurie ndaj disa personave të dyshuar për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor pa licencë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Sipas policisë, katër persona janë vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për shtatë të tjerë është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, si dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se në 6 subjekte për transferta parash, në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, dyshohet se kryhej këmbim valutor pa licencën e nevojshme sipas ligjit.
Nga kontrollet e ushtruara në këto subjekte, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 808 000 lekë, 118 425 euro, 7 390 dollarë amerikanë, 665 paund, 110 franga zvicerane, 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe një laptop.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!