Përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale po ushtron presion gjithnjë e më të madh mbi burimet globale të energjisë, ujit dhe tokës, thuhet në një raport të Institutit të Universitetit të OKB-së për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin.
Sipas raportit, qendrat e të dhënave që mbështesin teknologjitë e inteligjencës artificiale pritet të konsumojnë rreth 945 teravat-orë energji elektrike deri në vitin 2030, ndërsa gjurma e tyre ujore mund të arrijë në 9.3 trilionë litra, sasi që do të mjaftonte për të mbuluar nevojat bazë vjetore të 1.3 miliardë njerëzve në Afrikën Sub-Sahariane.
Raporti thekson se ndikimi mjedisor i AI-së shpesh nënvlerësohet, pasi vlerësimet fokusohen kryesisht te emetimet e karbonit, duke lënë në hije konsumin e ujit dhe përdorimin e tokës.
Po ashtu, ekspertët paralajmërojnë se gjurma tokësore e qendrave të të dhënave mund të kalojë 14.500 kilometra katrorë deri në fund të dekadës.
Autorët e raportit sqarojnë se qëllimi nuk është kundërshtimi i zhvillimit të inteligjencës artificiale, por nxitja e një përdorimi më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të saj, përmes transparencës, efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!