image OKB: Kosova në prill në agjendën e Këshillit të Sigurimit

Botë

OKB: Kosova në prill në agjendën e Këshillit të Sigurimit

news image

Këshilli i Sigurimit të OKB diskuton më 20 prill për Kosovën. Në takimin e parë të këtij viti, shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, do të informojë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në seancën përkatëse pritet të marrin pjesë si Serbia ashtu dhe Kosova. Shqipëria është që prej janarit 2022 anëtare e Këshillit e Sigurimit (KS) dhe Kosova është për të një nga çështjet me interes të veçantë. Këshillin e Sigurimit e drejton këtë muaj Mbretëria e Bashkuar.

Takimi i fundit i KS është mbajtur në tetor 2021, gjashtë muaj më parë dhe që nga ai takim nuk ka pasur ndryshime të mëdha në raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Një nga çështjet që ka preokupuar palët muajt e fundit ka qenë pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet që u zhvilluan në Serbi. Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta shohë si provincën e vet autonome. Ky ka qenë edhe qëndrimi i fundit i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në bisedimet Prishtinë- Beograd, të zhvilluara për herë të fundit korrikun e kaluar.

Lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimin për acarimin e mundshëm të tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Vendet e BE dhe SHBA kanë shprehur shqetësimin se Rusia mund të destabilizojë Kosovën. Si kushte për garantimin e paqes dhe sigurisë, Kosova ka kërkuar të bëhet anëtare e NATO-s dhe të ketë një bazë të përhershme amerikane.

Synimi kryesor i OKB në Kosovë është ruajtja e stabilitetit. Dhe mungesa e suksesit në bisedimet Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga BE, mund të bëjë që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të kërkojnë nga të dy palët të rifillojnë bisedimet diplomatike dhe të japin një deklaratë ku të thonë se nuk do të përdorin dhunën kundër njëri – tjetrit.

Sa i përket 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, qëndrimet janë të njohura. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA e njohin Kosovën dhe mbështesin qeverinë e saj, ndërkohë që Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin Serbinë dhe qëndrimin e saj. Nga 10 anëtarët e përkohshëm të KS, pesë e njohin pavarësinë e Kosovës (Shqipëria, Gaboni, Irlanda, Norvegjia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), kurse pesë të tjera nuk e njohin (Brazili, Gana, India, Kenia, dhe Meksika)

/GazetaSinjali/