image OKB-ja vlerëson se rindërtimi i Gazës do të kushtojë 30 deri në 40 miliardë dollarë

Botë

OKB-ja vlerëson se rindërtimi i Gazës do të kushtojë 30 deri në 40 miliardë dollarë

news image

Një agjenci e OKB-së tha të enjten se rindërtimi i Gazës do të kushtojë rreth 30 deri në 40 miliardë dollarë dhe do të kërkojë përpjekje në një shkallë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Agence France-Presse (AFP).

“Vlerësimet fillestare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin për rindërtimin e … Rripit të Gazës i kalojnë 30 miliardë dollarët dhe mund të arrijnë deri në 40 miliardë dollarë,” tha ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Abdallah al-Dardari.

“Shkalla e shkatërrimit është e madhe dhe e paprecedentë … Ky është një mision me të cilin komuniteti global nuk është marrë që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha Dardari në një konferencë për shtyp në kryeqytetin jordanez Aman.

Sipas AFP, ai shtoi se nëse rindërtimi i Gazës do të kryhej përmes procesit normal, “mund të duhen dekada dhe populli palestinez nuk e ka luksin të presë për dekada”.

Ai tha në konferencën për shtyp:

Prandaj është e rëndësishme që të veprojmë shpejt për t’i ristrehuar njerëzit në banesa të denjë dhe për të rikthyer jetën e tyre në normalitet – ekonomikisht, socialisht, në aspektin shëndetësor dhe arsimor.

Ky është prioriteti ynë kryesor dhe duhet të arrihet brenda tre viteve të para pas ndërprerjes së armiqësive.”

Ai vlerësoi rrënojat totale nga bombardimet dhe shpërthimet në 37 milion ton.

“Po flasim për një shifër kolosale dhe kjo shifër po rritet çdo ditë”, tha ai. “Të dhënat e fundit tregojnë se tashmë po i afrohet 40 milionë tonëve”.

Zyrtari i OKB-së tha gjithashtu se “72% e të gjitha ndërtesave të banimit janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht”.

“Rindërtimi duhet të planifikohet me kujdes, me efikasitet dhe me fleksibilitet ekstrem sepse ne nuk e dimë se si do të përfundojë lufta” dhe çfarë lloj qeverisjeje të pasluftës do të vendoset në Rripin e Gazës, shtoi ai.

/GazetaSinjali/