image OJQ-të: Po minohet demokracia në Malin e Zi

Rajon

OJQ-të: Po minohet demokracia në Malin e Zi

news image

Kuvendi i Malit të Zi miratoi mbrëmë amendamentet në Ligjin për Presidentin, me të cilët kushtëzohen kompetencat e tij lidhur me caktimin e të mandatuarit për të formuar qeverinë.

Ndryshimet u miratuan me votat e 41 deputetëve të FD, Demokratëve, PSP, LQ ABR, Mali i Zi i Bashkuar dhe i Malit të Zi të Vërtetë.

Kundër ishte deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu. Deputetët e PDS, SD, PSD, PB dhe Mehmed Zenka i UDSH u larguan nga salla para votimit. Më herët, u miratua ekzistenca e interesit publik në lidhje me efektin retrospektiv të ligjit dhe arsyeja e urgjencës, pra hyrja në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Debati që i parapriu ndryshimeve në ligj ishte i ashpër me akuza të ndërsjella për shkelje të Kushtetutës dhe interesit publik. Gjatë disutimeve, para ndërtesës së Kuvendit u mblodhën edhe një grup i qytetarëve, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të paralajmëruara. Qytetarët i përshëndetën deputetët e ish mazhorancës.

Reagime lidhur me miratimin e ndryshimeve në ligj pati edhe ditën e sotme. OJQ MANS në llogarinë në twitter theksoi se vendimet jokushtetuese të presidentit lidhur me mos ftesën e të gjithë subjekteve në konsultime, nuk mund të arsyetohet me shkelje të reja të Kushtetutës.

Edhe ministrja e Integrimeve europiane, Jovana Maroviq, nënkryetare e LQ ABR, tha se procedura e miratimit të ndryshimeve në ligj ishte e dyshimtë nga ana e kushtetueshmërisë, pa marrë parasysh se mund të sjellë stabilitet politik.

Edhe OJQ të tjera dënuan miratimet e mbrëmshme, duke theksuar se ato do të sjellin përçarje të reja dhe minojnë demokracinë në vend.

/GazetaSinjali/