Prishja si partner të koalicionet mes PDK-së dhe AAK-së ka kaluar në ofendime dhe akuza. PDK përmes një komunikate e ka quajtur AAK-në paritçkë duke e akuzuar për mashtrim të vendeve të punës.
Në një reagim zyrtar, PDK-ja në Fushë Kosovë ka thënë se AAK-ja e ka konsumuar pushtetin dyvjeçar për punësime të familjarëve e militantëve partiakë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke orkestruar një mashtrim ndaj qytetarëve të Fushë Kosovës, gjoja për vende pune e favore. Ky mashtrim i AAK-së në prag të fushatës zgjedhore është duke dështuar, pasi edhe qytetarët nuk besojnë në premtime të tilla të rrejshme. Kjo partiçkë e cila pushtetin dy vjeçar e ka konsumuar duke punësuar familjarë e militantë partiakë me kontrata mbi vepër në dikasteret ku ka udhëhequr, nuk ka krijuar vende pune për qytetarët sikurse as për përkrahësit e vet në Fushë Kosovë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kjo degë e PDK-së ka thënë tutje se “AAK-ja nuk mund të abuzojë më tutje me postet publike, ngase po vjen qeverisja me kryeministër Kadri Veselin, e cila do të krijojë mundësi e shanse të barabarta për të gjithë qytetarët, përmes luftës ndaj korrupsionit e nepotizmit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë”.
“Për më tepër, Dega e AAK-së në Fushë Kosovë ka dy vite që është jashtë funksionit”, thuhet në reagim.
Më tutje PDK ka thënë se Ramush Haradinaj ka degraduar shtetin e Kosovës me qeverisjen e tij.
“PDK në Fushë Kosovë beson se qytetarët nuk do të bien pre e premtimeve të rrejshme të partiçkës së AAK-së, ngase epoka e punësimeve familjare të AAK-së ka përfunduar me dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Ramush Haradinajt, i cili e degradoi shtetin e Kosovës. Ata besojnë në vlera dhe në platforma që rrisin mirëqenien e përgjithshme. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe këtë vullnet do ta dëshmojnë më datën 6 tetor, duke votuar për Partinë Demokratike të Kosovës”, përfundon komunikata e PDK-së në Fushë Kosovë.