Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë, që ka hyrë në fuqi më 1 qershor për bizneset e mëdha, po përballet me kritika të ashpra. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka reaguar me shqetësim, duke kërkuar ndërprerjen urgjente të këtij procesi, për shkak të ndikimit negativ që, sipas tyre, po ka në aktivitetin ekonomik dhe në klimën e investimeve në vend.
Në një reagim zyrtar, Oda Amerikane thekson se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të liberalizuar tregun ka ardhur pa përmbushjen e parakushteve të domosdoshme dhe në një kohë kur nuk janë krijuar kushtet për konkurrencë të shëndetshme në furnizim me energji.
“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, thuhet në reagim.
OEAK thekson se megjithëse liberalizimi i tregut të energjisë është një objektiv strategjik për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe rajonale, ky proces duhet të menaxhohet me kujdes dhe përgjegjësi.
“Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike. Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”.
Për këtë arsye, Oda Amerikane i ka bërë thirrje ZRRE-së që të marrë masa të menjëhershme korrigjuese dhe ta pezullojë procesin e liberalizimit derisa të krijohen kushte për një treg funksional dhe të drejtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!