Oda e Avokatëve të Kosovës e ka shfuqizuar vendimin që asnjë avokat të mos e zëvendësojë avokatin Besnik Berisha në rastin për vrasjen e Agonis Tetajt.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Odës, Naim Rudari, i cili e dënoi ashpër vendimin.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se OAK po dorëzohet para presionit, kanosjeve e hetimeve të kundërligjshme e të padrejta nga akterët e “Drejtësisë”.
Rudari tha se vendimi që mos të angazhohet asnjë avokat në rastin konkret, ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm që të ndalet fenomeni i përjashtimit të avokatit nga gjykimi.
“Vendimi për mos angazhimit të avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin konkret, ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta ndaluar fenomenin e përjashtimit të avokatit nga gjykimi që në historinë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë ishtë NJË dhe i VETMI”, ka shkruar Rudari.
Ai tha se është shqetësuese se si po shfuqizohet vendimi i atyre që vendosën të mos caktohet avokati sipas detyrës zyrtare me rastin e përjashtimit të avokatit padrejtësisht nga gjykimi.
“Pra është shqetësuese dhe e pakuptimtë kur ata të cilët e kanë nxjerrë vendimin për mos caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare me rastin e përjashtimit të avokatit padrejtësisht nga gjykimi, sot shfuqizojnë vendimin e vet atyre, prap se prap duke e cilësuar si të drejtë dhe të ligjshëm por për t’i bërë një nderë KGJK-së të cilët na kanosën në format më të pa pranueshme”, ka thënë Rudari.
Kujtojmë se avokati Besnik Berisha fillimisht ishte gjobitur e më pas përjashtuar nga procesi penal ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.
Pasi trupi gjykues ka kërkuar nga i akuzuari Gogaj të angazhonte një avokat tjetër, ky i fundit ka refuzuar. Në këto rrethana, gjykatësja ka kërkuar nga OAK që Gogajt t’i caktohet një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare. Megjithatë OAK ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se urdhri i gjyqtares është tendencioz dhe cenon lirinë e tyre.