Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të pezulluar dy akte normative të miratuara nga organet e saj, duke i cilësuar këto veprime si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë institucionale dhe vetëqeverisjen e profesionit të avokatit.
Në reagimin publik, OAK thekson se Rregullorja për lartësinë e shpenzimeve të regjistrimit dhe Rregullorja për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare (Ex Officio) janë miratuar në përputhje me Ligjin për Avokatinë, Statutin e Odës dhe kompetencat që i garantohen me ligj.
Sipas Odës, çdo tentativë për pezullimin e këtyre akteve nuk prek vetëm rregulloret në fjalë, por cenon vetë pavarësinë institucionale të saj. Ajo rikujton se nuk është pjesë e pushtetit ekzekutiv apo e Ministrisë së Drejtësisë, por një institucion i pavarur me kompetenca të garantuara për vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale.
OAK shpreh shqetësimin se veprimet e Qeverisë mund të krijojnë një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit pushteti ekzekutiv do të mund të ndërhyjë në aktet e institucioneve të pavarura sa herë që nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre.
Në deklaratë, Oda i bën thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga këto iniciativa dhe të respektojë kufijtë kushtetues dhe ligjorë të kompetencave të saj, duke paralajmëruar se nuk do të pranojë asnjë presion politik, administrativ apo institucional që cenon autonominë e saj.
Po ashtu, OAK nënvizon se do të vazhdojë të ushtrojë pa kompromis kompetencat e saj ligjore dhe kushtetuese, duke përdorur të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur pavarësinë e profesionit të avokatit dhe integritetin institucional.
“Pavarësia e avokatit nuk është privilegj, por garanci e lirisë së qytetarëve dhe nuk negociohet”, thuhet mes tjerash në reagimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!