Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar si shqetësuese shpërfilljen që, sipas saj, Qeveria në detyrë po i bën Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm (LNG).
Në një komunikatë për media, OEAK thekson se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale, e cila po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.
“Në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, OEAK shpreh shqetësim për faktin se, sipas saj, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet mes të tjerash.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!