image OAK kundërshton tarifën prej 1 mijë eurosh për zyrat e avokatisë në Prishtinë, Berisha: Avokatia nuk është biznes

Drejtësi

OAK kundërshton tarifën prej 1 mijë eurosh për zyrat e avokatisë në Prishtinë, Berisha: Avokatia nuk është biznes

news image

Kryetari i Oda e Avokatëve të Kosovës, Besnik R. Berisha, ka marrë pjesë sot në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me Draft-Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, ku ka kundërshtuar propozimin për vendosjen e tarifës vjetore prej 1 mijë eurosh për zyrat e avokatisë.

Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe avokatëve që ushtrojnë profesionin në kryeqytet, Berisha ka kërkuar që profesioni i avokatit të përjashtohet plotësisht nga kjo kategori tarifimi.

Sipas tij, avokatia nuk është veprimtari tregtare dhe nuk mund të trajtohet njësoj si bizneset komerciale, pasi avokatët ushtrojnë një funksion të domosdoshëm për realizimin e të drejtës kushtetuese në mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor.

Gjatë diskutimit, Berisha ka theksuar se vendosja e një tarife të tillë bie ndesh me natyrën dhe rolin kushtetues të profesionit të avokatit, duke shtuar se avokatia është pjesë e sistemit të drejtësisë dhe jo një aktivitet afarist i zakonshëm.

Ai ka vlerësuar se trajtimi i avokatëve si kategori biznesi për qëllime fiskale krijon një precedent të gabuar, duke e krahasuar këtë qasje me vendosjen e tarifave të veçanta për gjyqtarët apo prokurorët për ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka paralajmëruar se çdo barrë e pajustifikuar financiare ndaj profesionit të avokatit përkthehet në kosto shtesë për qytetarët dhe vështirëson qasjen në drejtësi.

Për këtë arsye, OAK i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që avokatia të përjashtohet nga dispozitat e propozuara që parashohin tarifimin vjetor prej 1 mijë eurosh, ndërsa ka bërë të ditur se argumentet juridike dhe profesionale do të dorëzohen edhe me shkrim në kuadër të procesit konsultativ.

Sipas njoftimit, Oda do të vazhdojë të mbrojë pavarësinë e profesionit të avokatit dhe interesin publik për qasje të lirë dhe efektive në drejtësi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/