Gjykata Themelore në Pejë e ka gjobitur me 250 euro avokatin Gëzim Kollçaku, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme në rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, për shkak të “zvarritjes së gjykimit”, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast ka reaguar nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, i cili tha se si kundërpërgjgjigje për “veprimet dhe gjuhën e komuniktimit” të kësaj gjykate, OAK duhet që “sa më parë të bojkotojë të gjitha paraqitjet e avokatëve në të gjitha gjykatat në nivel vendi”.
Ai ka paralajmëruar se “sulmet” ndaj avokatëve nuk do të tolerohen dhe ka kërkuar reagim edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“OAK ka një vendim në fuqi lidhur me këtë çështje dhe se tani sulmet e tilla ndaj avokatëve do të jenë të patolerueshme dhe jetëshkurtëra! Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të reagojë sa më parë, të ndalojë veprimet e tilla të cilat e bllokojnë sistemin të drejtësisë”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook./GazetaSinjali/