image Nxori hak për babain, dënohet me 8 vjet burg 17-vjeçari nga Lezha

Shqipëri

Nxori hak për babain, dënohet me 8 vjet burg 17-vjeçari nga Lezha

news image

Gjykata e Lezhës dënoi të hënën me 8 vjet burg, 17-vjeçarin Florian Përvathi, i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj.

I riu u gjet fajtor për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. I konsideruar i mitur, pasi është nën 18-vjeç, ai u dënua me 12 vjet burg, maksimumin e parashikuar nga ligji për moshën. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me 1/3 në 8 vjet.

Të njëjtën masë dënimi kishte kërkuar edhe prokuroria e cila arriti të provojë, bazuar në rrëfimin e autorit se 17-vjeçari e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë në vitin 2009, kur ai ishte vetëm 4-vjeç.

I riu po ashtu pranoi ndërsa armën pistoletë e kishte siguruar në Shkodër rreth 1 vit para ngjarjes. Avokati mbrojtës nuk e kundërshtoi vendimin e gjykatës.

Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, mesditën e 24-janarit të këtij viti në fshatin Manati të Lezhës, sapo viktima kishte hyrë me makinë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij.

Menjëherë pas krimit ai u vetëdorëzua në polici duke pranuar autorësinë dhe duke treguar dhe motivet e ngjarjes.

/GazetaSinjali/