Gazeta Sinjali sot raportoi për një rast të sulmit seksual që kishte ndodhur më 16 dhjetor në Gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë.
Dyshohet se zëvendësdrejtori i gjimnazit e ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur, në ambientet e shkollës.
Babai i nxënëses, i cili e paraqiti mbrëmë rastin në Polici, pretendon se zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi e ka sulmuar seksualisht të bijën e tij, në njërën nga banjot e shkollës.
Sipas tij, vajza e tij ka qenë brenda në tualet, kur aty është futur edhe zëvendësdrejtori i cili dyshohet se ka filluar ta sulmojë seksualisht të miturën.
Sinjali mëson se lidhur me këtë rast është intervistuar i dyshuari dhe disa dëshmitarë.
Këto informacione për Gazetën Sinjali i kanë konfirmuar nga Drejtoria e Policisë në Gjakovë. Nga kjo drejtori njoftuan se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/