Një fëmijë 12-vjeçar është paraqitur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rënduar, pas një ekskursioni të organizuar nga shkolla në Parkun e Gërmisë.
Sipas anamnezës së dhënë nga nëna e të miturit, L.K, djali i saj E.K kishte qenë pjesë e ekskursionit, kur rreth orës 13:45 ajo ishte kontaktuar nga kujdestari i klasës, i cili i kishte thënë se fëmija ishte lënduar lehtë dhe po dërgohej në shkollën “Ibrahim Rugova” në Podujevë.
Sipas rrëfimit të nënës dhënë në Emergjencë, sapo i është dorëzuar djali në shkollë, së bashku me një mësues e kanë dërguar në emergjencën e Podujevës, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ai është transferuar me ambulancë në QKUK në Prishtinë, ku ka marrë trajtim të menjëhershëm.
Aktualisht nuk dihet nëse rasti është njoftuar apo jo tek organet hetimore, por burime nga QKUK konfirmojnë se një rast i tillë e detyron stafin ta njoftojë edhe policinë.
Sinjali është duke përcjellë zhvillimet për të kuptuar më shumë mbi rrethanat e lëndimit dhe përgjegjësinë institucionale në këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!