Dy zyrtarë policorë mbetën mbrëmë të plagosur në Skenderaj, pas një konflikti me disa qytetarë ku dyshohet se u përdor edhe arma e zjarrit. Sinjali raportoi ekskluzivisht se në këtë incident është i përfshirë ish-nënkryetari i kësaj komune, Nuredin Lushtaku bashkë me disa familjarë të tij. Rasti u konfirmua nga Policia, teksa burimet e Sinjalit kanë dhënë detaje të reja.
Siç mëson Sinjali, Lushtaku bashkë me të vëllanë tashmë janë dorëzuar në Polici, ku edhe ndodhen për momentin. Ndërkohë, njësitë policore janë aktivizuar, me ç’rast po vazhdojnë bastisjet, për të mbledhur prova që ndërlidhen me rastin.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se edhe më tutje mbeten në arrati dy nga të dyshuarit kryesor për këtë konflikt.
Çka deklaroi Policia?
Në një njoftim për media, ashtu siç raportoi mbrëmë Sinjali, Policia ka njoftuar se dy zyrtarët policorë janë plagosur në një pikë kontrolli.
“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.
Cili dyshohet se është motivi?
Sipas informatave të para, sherri dyshohet se nisi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e gjeneralit Nuredin Lushtaku, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku. Kjo u bë sebep që ai të thërras babain e tij, i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë. Në konflikt dyshohet se u përfshinë edhe vëllezërit Lushtaku.
Burimet e Sinjalit nga QKUK njoftuan se njëri nga policët dyshohet se ka marrë plagë në kokë nga mjetet e forta, por përkundër gjendjes së rëndë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata