COVID-19

Të infektuar

1123

Të shëruar

847

Të vdekur

30

Sociale/ Numër i vogël i autopsive në Kosovë, hoxha dhe prifti tregojnë nëse kjo lidhet me fenë

news image

Qytetarët e Kosovës nuk e preferojnë, por në shumicën e rasteve edhe nuk janë të informuar për autopsinë si një procedurë mjekësore që tregon shkakun dhe kohën e vdekjes.

Në vitin 1998 frekuenca e autopsive në Kosovë ka qenë rreth 45 për qind, pas përfundimit të luftës me ndryshimin e ligjit të autopsive kjo përqindje ka rënë ndjeshëm.

Familjarët e pacientit tashmë të ndjerë, S.Sh i thanë Gazetës Sinjali se ata nuk kanë menduar të kërkojnë autopsi sepse kanë qenë të ndikuar nga humbja e familjarit të tyre.

“Askush nuk ka sugjeruar që ta dërgojmë vëllaun për autopsi, ne ishim shumë të ngarkuar emocionalisht dhe asnjë nga familjarët nuk kishte menduar për autopsi. Kur e mendoj mirë duhet të jetë mëkat nga feja jonë islame me e prish trupin në atë formë” – thotë njëri nga familjarët.

Edhe disa qytetarë të tjerë i thanë Sinjalit se autopsinë nuk e preferojnë sepse besojnë që është mëkat të dëmtohet trupi i njeriut.

Keqkuptimi për autopsitë vjen nga mungesa e informimit dhe interpretimit të gabuar nga aspekti fetar. Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve i tha Sinjalit se vetëm në vitin 2015 në spitalet e Kosovës kanë ndodhur 2 mijë e 41 vdekje, prej këtij numri janë bërë vetëm 13 autopsi.

 “Mungon informimi i mjaftueshëm i qytetarëve për dobitë që i sjellë autopsia e familjarëve të tyre. Stafi mjekësor nuk është i interesuar shumë që të ju tregoj familjarëve për të mirat që i sjellë autopsia, sepse në këtë mënyrë më lehtë do të mbuloheshin gabimet mjekësore” – thotë Kodra.

Sipas Kodrës, ligji për mjekësinë ligjore kërkon që familjarët të japin pëlqimin për autopsinë e të vdekurit, përveç nëse vdekja është e dyshimtë dhe kërkohet autopsia nga Prokuroria e Shtetit.

Kodra thotë se përvoja tregon se mosdhënia e pëlqimit për autopsi, në shumicën e rasteve shihet edhe nga aspekti fetar, ku mendohet se feja nuk e lejon një gjë të tillë.

“Autopsia është shumë e nevojshme jo vetëm për të zbuluar gabimet mjekësore, ndihmon poashtu për të zbuluar sëmundjet gjenetike të të vdekurit të cilat mund të trashëgohen te pasardhësit. Përfundimisht duhet të bëhet një promovim më i madh për autopsinë, vetëm kështu mund të parandalohen sëmundjet te familjarët e tjerë dhe kjo e rritë ndërgjegjësimin e stafit për punën e tyre” – thotë ai.

Për të marrë një interpretim të saktë nëse fetë e konsiderojnë mëkat autopsinë në trupin e të vdekurit, Sinjali ka kontaktuar me përfaqësues të fesë islame dhe katolike.

Hoxhë Enis Rama tha se njeriu është krijesa që kërkon të respektohet edhe pas vdekjes, por sipas tij feja islame nuk e ndalon autopsinë.

 “Në raste të veçanta shumë nga dijetarët bashkëkohor kanë lejuar që autopsia të bëhet në raste specifike. Kur bëhet fjalë për krim dhe duhet të dihet mënyra dhe koha e vdekjes, në këtë rast lejohet. E dyta kur lejohet është kur ka ndonjë epidemi dhe duhet të bëhet autopsia e të vdekurve që të parandalohet te njerëzit tjerë. Rasti i tretë është kur bëhet fjalë për mësim, kur bëhen studime të caktuara në fushën e mjekësisë” – tha Rama për Sinjalin.

Nga ana tjetër, Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike tha për Sinjalin se edhe feja katolike njësoj si ajo islame, kërkon që të nderohet trupi i njeriut edhe pas vdekjes, sipas tij autopsia nuk është e ndaluar për katolikët.

“Autopsia e trupit të njeriut të vdekur është e lejueshme për arsye të hulumtimeve shkencore, mjekësore apo edhe për hetime ligjore. Lejohet edhe dhurimi i organeve, kuptohet, në mënyrë të lirë, të vetëdijshme dhe vullnetare, me bindje dhe përcaktim për ta ndihmuar apo shpëtuar jetën e dikujt tjetër” – tha ai.

Gazeta ka dërguar pyetje specifike për të kërkuar numrin e vdekjeve dhe autopsive të bëra gjatë vitit të kaluar por ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet përkatëse.

Nga burime të Sinjalit brenda institucioneve, mësohet se numri i autopsive për vitin e kaluar është rreth 20 dhe kërkesat e familjarëve për të gjetur shkakun e vdekjeve janë të vogla. Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: